Qyteti im Fieri
Fieri është një qytet në Shqipërinë e jugut rrethit të Fierit. Përsa i përket qytetit të Fierit popullsia e tij pas viteve '90 të shekullit të XX numëronte 40 000 banorë, kurse në ditët e sotme, si rezultat i dyndjes së popullsisë nga rrethi i Mallakastrës dhe nga rrethet veriore të vendit, vlerësohet që popullsia e qytetit të Fierit të ketë arritur në 122 000 banorë[2]. Ndërsa e qarkut 302 mije banorë[3]. Fieri është një nga qytetet me te zhvilluara. Meshtetet ne bujqësi dhe blegtori intensive me mjete moderne.
Historia
12 km larg qytetit te Fierit, ndodhen rrënojat e qytetit antik te Apolonisë. Qyteti u themelua ne vitin 558 p.e.s në një kodër pranë detit dhe afër grykëderdhjes së lumit Aoos (Vjosa) nga kolone te ardhur nga Korinti e Korfuzi. Ne lulëzimin e tij mendohet te këtë pasur një popullsi prej 50 000 - 60 000 banorësh. Për rëndësinë ekonomike dhe kulturore dhe për hapësirën e madhe te shtrirjes se tij, Ciceroni e ka quajtur qytet të madh dhe hijerëndë.
Në vitin 1769 Fieri ishte një fshat me rreth 24 shtëpi prej balte dhe qerpiçi të ndërtuara nga voskopojarët që sapo ishin ngulur në Fier dhe rrethinat përreth. Qyteti modern i Fierit u themelua më 1864 nga Kahraman Pashë Vrioni dhe djali i tij, Omer Pashë Vrioni, të cilët me ndihmën e urbanistëve dhe arkitektëve francezë hodhën themelet e qytetit modern të Fierit. Fizionominë e këtij plani, qyteti i Fierit e ruan edhe sot ku ndërthuren dy sisteme; ai kuadratik dhe rrezor. Në fund të shekullit të XIX Fieri kishte 4 lagje: Shkozë, Belik, Kishë dhe Pasha. Në librin e saj Brenga e Ballkanit udhëtarja angleze Edit Durham kur shkruan për Fierin e vitit 1904, tregon se në të janë ngritur godina prej guri me arkitekturë çuditërisht moderne.
Monumentet më të rëndësishme arkeologjike janë : muri rrethues, biblioteka, Odeoni, Portiku dhe Kisha Bizantine e shekullit te XIII. Kërkimet e para mbi thesarin historik të Apolonisë u bënë gjatë Luftës së Parë Botërore nga arkeologet austriak, që zbuluan dhe eksploruan muret e mëdha që rrethonin qytetin e dikurshëm. Zbulimet sistematike filluan në vitin 1924 nga Misioni Arkeologjik Francez drejtuar nga Leon Rey. Ata nxorën ne dritë kompleksin e monumenteve te qendrës së qytetit. Zbulimet kanë vazhduar nga arkeologët shqiptarë pas çlirimit.
Qendra të tjera të popullimit parahistorik në rrethin e Fierit kanë qenë edhe Stefanafana, Nemfeumis, kështjella Argyas, Kolkondasi, Cakrani, Margellici, Portëza, Petova etj.
Regjistrimi i parë i popullsisë është ai i vitit 1923 ku Fieri ishte nënprefekturë nënvarësinë e Beratit. Në përbërjen e Fierit futeshin 2 krahina: rrethi Fier me 71 fshatra, 2193 shtëpi dhe 12.760 banorë, krahina e Semanit me 22 fshatra, 305 shtëpi dhe 1940 banorë. Vete qyteti i Fierit kishte 5 lagjje dhe 1493 banorë.
Gjatë fillimit të shekullit të XX-të deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore në Fier ndodhën mjaft ndryshime demografike. Aty u vendosën banorë te ardhur nga Labëria, Çamëria dhe Kosova si dhe grupe të ndryshme popullatash të ardhur nga Toskëria si nga Mallakastra, Berati, Gjirokastra etj. Ndërsa pas Luftës në qytetin e Fierit u vendos një numër i madh çamësh të dëbuar nga Greqia.
Ne vitin 1958 sipas ndarjes së re administrative rrethi kishte një sipërfaqe prej 1175 km². Në të bënin pjesë 4 qytete si dhe 139 fshatra te grupuar dhe 21 te bashkuar. Me shndërrimin e rrethit ne qendrën ekonomike me të zhvilluar pas kryeqytetit, ndodhi një proces i zhvilluar urbanizimi. Për të plotësuar nevojat e industrisë dhe bujqësisë, filloi një lëvizje e madhe migratore drejt Fierit. Ne vitin 1965 qyteti i Fierit numëronte 20 000 banorë, kurse ne 1982 kishte 35 000 banorë. Ne vitin 1985, Fieri si rreth kishte një popullsi prej 226.200 banorë, dhe dendësi 192 b/km². Popullsia qytetare arrinte shifrën 27.6 % ndërsa ajo fshatare 72,4 %. Rritja natyrore ishte 2,09 %.
Me fillimin e viteve 90–të në Fier ndodhën mjaft ndryshime demografike. Një pjesë e madhe e banorëve kanë emigruar drejt shteteve te huaja dhe kryeqytetit si dhe kanë ardhur banorë nga rrethet e Mallakastrës, Tepelenës, Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës si dhe nga zonat veriore e verilindore të Shqipërisë. Ne vitin 2001 popullsia e rrethit të Fierit ishte 199.082 banorë. Ndërsa qyteti i Fierit ka një popullsi 82.262 banorë. Dendësia e popullsisë për rrethin e Fierit 255 banorë/km², një nga më të lartat në Shqipëri. Mosha mesatare e popullsisë është 38 vjeç.
Comments
Post a Comment